Ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi, në një deklaratë për mediat foli për inceneratorë e Elbasanit dhe Fierit.

Boçi u shpreh se kryeministri Edi Rama nuk po mban përgjegjësi penale dhe as politikë në lidhje me inceneratorin e Elbasanit dhe se do të shpenzojë edhe 113 mln euro ekstra për plehrat në Elbasan dhe Fier.

Sakaq u ndal te deklaratat e kryeministrit për nxjerrjen e naftës në Shpirag, ku investimet priten të shkojnë në 7 miliard euro.

Deklarata e plotë e Boçit:

Edi Rama ka filluar t’i shpenzojë që tani 7 miliardët imagjinarë që po nxjerr nga nëntoka në Shpirag.

Për dy vitet e ardhshme ai ka vendosur të japë edhe 113 milionë euro ekstra për menaxhimin e mbetjeve në qarkun e Fierit dhe Elbasanit. E ritheksojmë: për Elbasanin dhe Fierin, pjesë e paketës gjysmë miliard euro të incineratorëve. Pa pyetur për faktin kokëfortë se koncesionet e mëparshme prej 50 milionë eurosh për ndërtim inceneratorësh janë nën gjykim për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Pa çarë kokë për dështimin e kalimit nga riciklimi i mbetjeve te incenerimi, qeveria ka hartuar dokumentin e “Politikave Prioritare” për periudhën 2024-2026, ku liston si projekte “unike me rëndësi kombëtare”, krijimin e zonave funksionale për mbetjet në Elbasan dhe Fier.

Për Elbasanin parashikohen t’i falen dreqit 50.1 milionë euro, ndërsa për Fierin 63 milionë.

Nëse e pyet se çfarë është kjo marrëzi ai shmanget, siç bëri të mërkurën përballë gazetarëve.

Ajo çka e bën tragjike dhe komike këtë projekt me rëndësi kombëtare, siç e quan qeveria, është fakti se është përgatitur nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe koordinimit te Ndihmës (SASPAC), në varësi direkte të Kryeministrit, që drejtohet nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Pra, firmosësi i famshëm fap e fap i incineratorëve, dhe njeriu nën hetim për masakrën në shëndetësi, Ali baba i streilizimit, janë bërë bashkë për të shtuar edhe 113 milionë euro në lumin e zi që ka marre teposhtë edhe katër herë aq para publike.

Rama dhe Beqaj janë të vetmit qeveritarë në botë që arrijnë të kenë guximin për ta martuar dështimin me vjedhjen, dhe për ta paraqitur si ‘politikë prioritare me rëndësi unike kombëtare’.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, milionat parashikohen të hidhen në infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve për t’u rikthyer në strategjinë e mëparshme të riciklimit – të cilën vetë Rama e braktisi në favor të incinerimit.

Vini re: duhet një gjysmë dekade dhe gjysmë miliardi euro që Rama dhe Beqja të kuptojnë se incinerimi nuk bën, por nuk ka si riciklimi.

Studimi ku është bazuar investimi, bën edhe një analizë të politikave të menaxhimit të mbetjeve që ka ndjekur qeveria shqiptare, duke theksuar se incenerimi, jo vetëm nuk parashikohet të zgjidhë problemin me mbetjet, por shkel dhe direktivat europiane për ekonominë qarkulluese, pasi nuk është zbatuar hierarkia e menaxhimit të mbetjeve, ku djegia është në fund të piramidës.

A nuk dihej kjo gjë më parë? A nuk mund të bëhej ky studim më parë dhe të kursente qindra miliona euro? Janë të marrë, amatorë apo hajdutë profesionistë?

Kujtohuni pak se si bënte be e rrufe Edi Rama për incinerimi si zgjidhje përfundimtare e problemit me plehrat. Ai dha, në harkun e pak viteve 3 kontrata koncensionare qindra-miliona euro për ndërtim inceneratorësh në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Të tre këto objekte janë sot nën sekuestro shtetërore me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.

Edi Rama nuk mban përgjegjësi penale dhe as politike. Ajo që mban është shpina e taksapaguesit shqiptar, së cilës i shtohen edhe 113 milion euro të tjera. Për riciklimin e mbetjeve, të cilave Rama u kish gjetur ‘zgjidhjen përfundimtare’ me inceneratorët.

Ndoshta gabohemi ne. Me ‘zgjidhje përfundimtare’ ai ka patur ndërmend shumën prej gjysmë miliard euro. Që do ia gjente vendin. Siç edhe bëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds