Në Tiranë, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) publikoi sot një studim, sipas të cilit qytetarët janë më shumë të shqetësuar për ekstremizmin politik se sa për atë fetar. Nga studimi doli se ekstremizmi fetar është shqetësim për mbi 30 për qind të qytetarëve, ndërsa ai politik për mbi 43 për qind të popullatës.

Ky Vlerësim Kombëtar mbi Ekstremizmin e Dhunshëm në Shqipëri u mbështet në një pyetësor, i cili iu drejtua rastësisht në terren një mijë e 600 të anketuarve në 61 bashki të vendit dhe është vlerësimi i katërt kombëtar i ekstremizmit të dhunshëm kryer nga IDM gjatë dekadës së fundit.

Mbi 29.2% e të anketuarve pohuan se në zonën ku ata banojnë, ka politikanë që shprehimisht bëjnë thirrje për dhunë ndaj kundërshtarëve politike. Në studim thuhet se 3 në 4 shqiptarë besojnë se disa anëtarë të elitës politike kanë lidhje me kriminelë dhe i shërbejnë interesave të njëri-tjetrit. Sipas studimit, 76.5% e të anketuarve besojnë se aktorët qeverisës në Shqipëri keqpërdorin institucionet dhe burimet shtetërore për interesa të ngushta politike.

Pritshmëria e lartë dhe besimi tek drejtësia shfaqen sërish edhe në këtë studim: mbi 40.9% e të anketuarve besojnë se pandëshkueshmërisë së njerëzve me pozita të larta në Shqipëri gjithnjë e më shumë po i vjen fundi. Megjithatë mbi 68.1% e të anketuarve pohojnë se në zonën ku ata banojnë, votimi për partinë në pushtet është i domosdoshëm për të mbajtur një vend pune në administratën publike.

Vetëm 35 të anketuar sugjeruan praninë e ekstremizmit etno-nacionalist, të cilin ata e asocionin me raste të diskriminimit racial, etnik ose kombëtar që ata kishin vënë re; si dhe raste të dhunës ose kërcënimeve për shkak të përkatësisë etnike. Mbi 76 për qind e të anketuarve besojnë se aktorët qeverisës në Shqipëri keqpërdorin institucionet dhe burimet shtetërore për interesa të ngushta politike.

Nga studimi doli se mbi 30 për qind e të anketuarve janë të shqetësuar për ekstremizmin fetar në Shqipëri, nga këta 6.6 për qind pohuan se në zonën ku ata jetojnë ka individë ose grupe, që nxisin ekstremizmin fetar, me sjellje intolerante, islamofobe, apo edhe të feve të tjera.

Autorët besojnë se studimi ka zbuluar dhe trajton çështjeve kyçe dhe sfidave të reja të identifikuara në kohët e tashme, ku mund të bazohen përpjekjet mbi shmangien e këtyre rreziqeve, duke rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e bashkësive qytetare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *