Zjarri i mbrëmshëm në Zhamë të Lushnjës u shkaktua nga pakujdesia, pasi 58 vjeçari R. Z. ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në fshatin Zhamë. Zjarri doli jashtë kontrollit dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me ullinj dhe pemë të ndryshme dhe rrezikoi banesat.
Policia reagoi menjëherë duke identifikuar, kapur dhe shoqëruar në Komisariat autorin e dyshurar të zjarrvënies. Gjithashtu policia ka evakuuar banorët nga banesat që mund të rrezikoheshin nga zjarri.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi kanë reaguar në rrjetet sociale pas shuarjes së zjarrit në Zhamë të Lushnjës.
Ministri Balla ishte vetë mbrëmjen e kaluar në orët e vona për të parë nga afër masat dhe angazhimin e autoriteteve, i shoqëruar nga Prefekti i qarkut Fier Lefter Shehaj dhe Kryetarja e Bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa. Ministri Balla ka vlerësuar punën e pandalshme të gjithë strukturave deri në izolimin e zjarrit që kërcënoi banesat e banorëve të fshatit Zhamë. Kurse Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në postimin e tij në FB shkruan se për shuarjen e flakëve u angazhuan 158 trupave të emergjencave civile dhe efektivëve të FA.
Për shuarjen e flakëve kanë punuar për shumë orë forcat zjarrfikëse të Lushnjes, Fierit, Divjakës, Beratit, Roskovecit, Rrogozhinës, Peqinit, kompanisë “Albpetrol”, ndihmuar edhe nga efektivë të Forcave të Armatosura dhe punonjës të ndërmarrjeve të Bashkisë Lushnjë.
Në vendngjarje ndodhet grupi i drejtimit të DVP Fier, shërbimet e Policisë Fier, disa grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Fier dhe shërbimet zjarrëfikëse të cilat po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rënies së zjarrit dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të dyshuar.