Një 25-vjeçar është shpallur në kërkim në lidhje me një plagosje të ndodhur dy ditë më parë në Velipojë.

Ngjarja ndodhi në datën 2 prill në aksin Shkodër-Velipojë, rreth orës 21:45 në vendin e quajtur ura e Gjo Lulit në zonën e Mali Kolaj.

I plagosur ka mbetur shtetasi Emiljano Paloka, 27 vjeç banues në fshatin Pulaj në Velipojës.

Sipas burimeve 27-vjeçari ndodhej brenda automjetit bashkë me dy shokë të tij dhe plagosja ka ndodhur brenda në makinë ku është gjetur edhe gëzhoja e armës së zjarrit.

Nga hetimet e para dyshohet se plagosja e shtetasit Emiljano Paloka ka ndodhur padashje nga një prej shokëve të tij në një shkrepje të pavetëdijshme të armës në lojë e sipër brenda automjetit.

Njoftimi:

Shkodër/Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të plagosjes së ndodhur mbrëmjen e datës 02.04.2024, në Velipojë.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 25-vjeçar, autor i dyshuar i plagosjes me armë zjarri.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Shkodër, për zbardhjen e rrethanave të plagosjes së ndodhur mbrëmjen e datës 02.04.2024, në fshatin Malikolaj, Velipojë, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, është identifikuar autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi K. L., 25 vjeç, banues në fshatin Baks i Ri, Velipojë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi K. L. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.

I plagosuri, shtetasi E. P., 27 vjeç, vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds