Ukraina e zhvendosi luftën brenda Rusisë ditët e fundit dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi lëvizjet e ushtrisë së tij për ta “çuar luftën në territorin e agresorit” me sulmet në rajonin e Kurskut në Rusi.
Lufta nuk po ndodh më vetëm në Ukrainë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi se trupat e tij hynë ditët e fundit në rajonin e Kurskut në perëndim të Rusisë. Arsyetimi i tij?
“Është e drejtë të shkatërrohen terroristët rusë aty ku janë, nga i nisin sulmet e tyre; aeroportet ushtarake ruse, logjistika ruse. Kjo mund të jetë e dobishme për afrimin e paqes. Rusia duhet të detyrohet të negociojë për paqe, nëse Putini do të vazhdojë të luftojë kaq ashpër”, tha ai.
Njëqind mijë civilë rusë u evakuuan dhe presidenti rus Vladimir Putin pretendoi se është rritur numri i të rekrutuarve.
“Duket se armiku po synon të përmirësojë pozicionin negociues në të ardhmen. Por për çfarë lloj negociatash mund të flasim me njerëz që kryejnë sulme pa dallim ndaj civilëve, ndaj infrastrukturës civile dhe përpiqen të rrezikojnë objekte të energjisë bërthamore?”, tha ai.
Si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe Departamenti i Shtetit lëshuan paralajmërime të rrepta për Moskën të hënën lidhur me përdorimin e municioneve iraniane.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u shpreh i rezervuar të hënën kur u pyet nëse Uashingtoni ishte i shqetësuar se Ukraina mund të përdorte armë të dërguara nga SHBA kundër Rusisë.
Analistët thonë se lëvizja e Ukrainës ishte e befasishme dhe se ka të ngjarë të jetë një taktikë për të sfiduar Moskën.
Por të tjerë thonë se Presidenti Putin mund të përdorë lëvizjen e Ukrainës si një justifikim për të sulmuar ndonjë vend të NATO-s, në kufi me Rusinë.