Hekurudha e Lushnjës prej kohësh ka qënë jashtë funksionit, kujtojmë problemet në linjën hekurudhore të saj si vjedhja e një pjesë të konsiderueshme të suporteve metalike të hekurudhës dhe shitur si skrap ne tregun e hekurishteve. Gjithashtu amortizimi i lartë dhe shpejtësia e ulët e trenave, aksidentet e banorëve nga trenat, mungesa e investimeve e bënë hekurudhën jo eficiente për udhëtarët. Por para disa ditësh dëgjuam një bori që nuk e kishim dëgjuar prej kohësh. Dolem të emocionuar për të parë trenin që kalonte në qytet dhe me të cilin kemi kujtime të bukura, por pamë të kalonte në shinat që po riparohen me trase druri dhe mbushur me çakull vetëm një lokomotivë për mallrat, treni mungonte.
Megjithatë edhe ky shërbim do të pushojë së funksionuari për të nisur investimi i transformimit të hekurudhës, që pritet të kthejë në identitet dhe funksion të plotë këtë shërbim.
Brenda këtij viti do të nisë rehabilitimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, e cila do të përfundojë në vitin 2030, e do të kushtojë 373 milionë euro. Në projektligjin për marrjen e kredisë prej 98 mln euro nga BERZH, thuhet se hekurudha do të jetë elektrike, shkurton distancën Shqipëri-Mali i Zi në vetëm 2 orë dhe lidh vendin me ekonomitë e vendeve fqinje.
Projekti parashikon ndërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 320 metër, ndërtimin e 12 urave etj. Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore. Me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks udhëtarësh prej 2 300 000 udhëtarësh/vit dhe volum mallrash prej 900 000 tonësh/vit.