“Detyrim paraqitje”, “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullim nga detyra” janë masat për të katër policët.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore referoi disa javë më parë materialet në Prokurorinë e Shkodrës ku akuzoi efektivët e policisë së Shkodrës për shpërdorim detyre në lidhje me masakrën e Dobraçit.
Sipas burimeve, AMP kishte dyshime të forta se efektivët nuk kanë kryer detyrën duke lënë që të ikë nga vendngjarja personin e tretë që dyshohet se ishte në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Buhatit.
Ende mbetet mister personi që del në videot e filmuara pak minuta pas masakrës.
Atentati me 4 të vrarë në zonën e Dobraçit në Shkodër më 30 tetor i kaloi për hetim SPAK-ut një ditë më parë. Prokuroria dyshon se krimin e ka kryer një grup i strukturuar kriminal.
Nga elementët që ka gjetur policia lokale e Shkodrës dhe Prokuroria e Shkodrës ka dyshime dhe bindjen se vrasjet u kryen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Krimet e kryera në kuadër të grupit të strukturuar janë kompetencë e SPAK dhe për këtë arsye i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme për hetime më të thelluara. Sapo dosja të administrohet në protokoll, pritet të hidhet shorti prej nga ku do të caktohet grupi hetimor i posaçëm.