Gjykata vendosi që Beleri të vazhdojë të qëndrojë nën masën arrest me burg, kurse Pandeli Kokaveshi në të njëjtën masë, atë të detyrimit me paraqitje. Beleri këmbënguli edhe në shkallët e tjera të drejtësisë se duhet tu shërbejë qytetarëve që e kanë votuar në 14 maj , zgjedhje për të cilat SPAK e akuzon se u implikua në aferë korruptive duke paguar një shumë prej 400 mijë lekë për të blerë tetë vota.
Shitblerja e votës u zbulua jo vetëm me metodat speciale por edhe përmes një bashkëpunëtori që ndihmoi prokurorinë e Vlorës në këto hetime. Prokuroria deklaron se një qytetar ofroi bashkëpunimin me drejtësinë, duke ekspozuar Belerin dhe Kokaveshin që dyshohen se paguan para në shkëmbim të votës.
Pagesa u krye në një lokal, dhe autoritetet theksojnë që disponojnë përgjime ambientale të kryera nga një grup operacional i dërguar nga Tirana.