Një çift në Kinë besonte se djali i tyre kishte vdekur menjëherë pas lindjes, por pas 33 vitesh zbuluan se fëmija i tyre ishte gjallë. Mjekët në spital u kishin thënë prindërve se foshnja e lindur para kohe nuk ia kishte dalë mbanë. Mirëpo në fakt, drejtori i spitalit ia dha foshnjën për birësim disa të afërmve të tij, të cilët nuk ishin në gjendje të kishin një fëmijë. E vërteta doli në dritë pas kaq vitesh nga rrëfimi i nënës birësuese.
Historia u raportua nga South China Morning Post. Fëmija quhej Zhang dhe u rrit në një familje në një fshat rural në provincën Anhui të Kinës lindore. Prindërit e tij biologjikë janë tregtarë të pasur nga provinca Zhejiang, në Kinën juglindore, rreth 400 km larg. Çifti që e adoptoi ishte në atë kohë rreth 50 vjeç, babai ishte invalid dhe familja ndodhej në vështirësi financiare. Në moshën 17-vjeçare, i riu duhej të linte shkollën për të ndihmuar prindërit e tij të moshuar.
Kur babai i tij vdiq në 2023, nëna i tregoi të vërtetën se ai ishte birësuar. Me ndihmën e policisë, djali nisi të kërkojë familjen e tij biologjike. Gjatë një feste për ardhjen e djalit të tij, Li Shijie, babai biologjik, i dorëzoi Zhang një kartë krediti me më shumë se 160 mijë euro. “Djali im i vogël ka jetuar për më shumë se 30 vjet pa e ditur datën e ditëlindjes së tij të vërtetë, më në fund familja jonë do ta festojë së bashku“, tha Li. Pavarësisht se u rrit në varfëri, 33-vjeçari duket se ka trashëguar talentin e prindërve të tij për biznes.