Prej dy muajsh rreth 300 familje në Fshatin Greshicë të Mallakastrës përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Nga 800 familje që fshati ka pasur dikur, vetëm këto pak kanë mbetur që jetojnë në këtë zone.
Situata është përkeqësuar për shkak të ndërtimit të ujësjellësit të ri. Ndryshe nga linja e ujësjellësit të vjetër, e cila ofronte ujë për 24 orë, banorët tani përballen me mungesë totale të furnizimit me ujë në rubinetat e tyre.
Për të siguruar ujin e pijshëm, banorët janë të detyruar të shkojnë tek fqinjët që kanë puse, ku mbushin bidonat me ujë dhe i transportojnë me krahë përmes terrenit të thyer dhe të vështirë.
Kjo situatë ka krijuar një barrë të madhe për banorët, sidomos për ata më të moshuar dhe të pamundur.
sinkron
Një tjetër problem që po përballen banorët është koha e gjatë që kërkohet për të mbushur depozitën e ujit të fshatit. Depozita, e ndërtuar para vitit 1990, ka një kapacitet të madh dhe mbushej për 3 orë, duke siguruar ujë për të gjithë fshatin për 3 ditë me radhë. Sot, e njëjta depozitë kërkon 10 orë për t’u mbushur, gjë që ka ndikuar ndjeshëm në furnizimin me ujë të fshatit.
Banorët kërkojnë të paktën dy orë furnizim në ditë për të mbushur depozitat e tyre individuale. Për të zgjidhur këtë situatë, një përfaqësi e banorëve ka kryer një takim në Drejtorinë Rajonale të Ujësjellësit dhe Kanalizimeve në Fier.
Ata janë informuar se një ekip i kësaj drejtorie do të shkojë në fshat për të verifikuar situatën dhe për të marrë masat e nevojshme.
Banorët shpresojnë se kjo ndërhyrje do të sjellë një zgjidhje të shpejtë për problemin e tyre të furnizimit me ujë të pijshëm.