Operacioni për goditjen e organizatës kriminale “Ndrangheta” ishte pjesë e një hetimi të gjerë në disa shtete europiane, Itali, Gjermani, Belgjikë, Portugali, Spanjë, Slloveni,Rumani,Brazil dhe Panama, njoftoi agjencia europiane për zbatimin e ligjit, Europol, përmes një deklarate.
Policia italiane tha se 108 persona u arrestuan në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Europian me urdhër të policisë të qytetit jugor të Rexho Kalabrias.
Sipas autoriteteve italiane, hetimet çuan në arrestimin e 15 personave në Belgjikë dhe 24 të tjerëvë në Gjermani, ndërsa 53 persona të tjerë u ndaluan në Italinë e Veriut.
Zyrtarët belgë thanë se operacioni policor u krye në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Belgjikës,më i madhi i kryer deri tani kundër mafies kalabreze.
Zëdhënësi i prokurorisë federale belge tha se ky mund të jetë operacioni më i madh i kryer ndonjëherë në Evropë për të goditur mafien kalabreze.
1000 policë u angazhuan në bastisjet e kryera në Gjermani dhe 1400 të tjerë në ndërhyrjet policore në Itali.
“Në kuadër të këtij operacioni të drejtuar nga Prokuroria Federale e Belgjikës,policia bëri 150 kontrolle në 8 shtete evropiane.
Në vendin tonë u ndaluan dhe u morën në pyetje 13 persona. Secili prej të arrestuarve dyshohet se është anëtar i organizatës mafioze italiane “Ndrangheta”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Federale të Belgjikës
“Ata dyshohen për një sërë krimesh në Belgjikë si pjesëmarrje në trafikun e drogës, kryesisht të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës Perëndimore dhe pastrimin e fitimeve të trafikut të drogës përmes kompanive të ndryshme ligjore”.
Në Gjermani, policia njoftoi se personat e arrestuar dyshohet të jenë përfshirë në veprimtari kriminale, si pastrim parash, mashtrim dhe trafik droge.
“Përftimet nga trafiku ndërkombëtar i kokainës dhe tregtisë së armëve janë të mëdha. Kemi të bëjmë me para të pista, të cilat pastrohen përmes bizneseve të vogla apo restoranteve”, tha zëdhënësi i policise bavareze.
Sipas policisë, këto arrestime u kryen pas një hetimi 3-vjeçar të koduar “Operacioni Eureka”. Hetuesit italianë dhe belgë dyshojnë se grupi kriminal ka trafikuar afro 25 tonë kokainë midis muajve tetor 2019-janar 2022 dhe ka pastruar rreth 22 milionë euro në Belgjikë, Holandë dhe Amerikën e Jugut.
Sipas deklaratës së Europol-it, aktiviteti kriminal i grupit “Ndrangheta” ishte përqëndruar kryesisht në trafikun ndërkombëtar të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë dhe Australi.
Grupi ‘Ndrangheta ishte i përfshirë në trafikimin e armëve nga Pakistani në Amerikën e Jugut, duke furnizuar grupin kriminal brazilian.
Ndrangheta, e cila i ka rrënjët në rajonin jugor italian të Kalabrisë, ia ka kaluar Cosa Nostra-s, si grupi mafioz më i fuqishëm në vend dhe një nga rrjetet më të mëdha kriminale në botë.
