Këtë vit,prodhimi i mbarë i grurit, nuk premton që t’i kënaqë fermerët e zonës së Semanit në Fier.
Ata i kanë kryer disa shërbime suplementare kulturës së grurit dhe presin që me çmimin e shitjes të kompensojnë së paku koston e shpenzimeve, por me sa duket kjo ende do të mbetet një dëshirë e parealizuar.
Sipas kultivuesve tregu i grurit, edhe pse është kultura bazë e bujqësisë dhe është mbështetur me subvencione, ende nga ministria e bujqësisë nuk ka një rregullator që të përcaktojë çmimin tavan, dukuri kjo që i bën ata të jenë pesimistë për prodhimin e pritshëm.
Sipërfaqe të tëra toke kanë mbetur djerrë, e ndërsa eksperienca e viteve të shkuara ka treguar se për shkak të çmimit të ulët fermerët e mbajtën grurin stok, e për të mos e hedhur e përdorën si ushqim për bagëtitë. Prandaj në këto ditë,thirrja e tyre shërben si një apel për shtetin,kur mbeten akoma edhe rreth dy javë nga korrja e grurit.