Fermerët e Spillesë pasditen e djeshme organizuan një protestë, ku mjetet bujqësore si autokombajna, zetorë, e mjete transporti i parkuan në kryqëzimin e rrugëve rurale për të tërhequr vëmendjen e Ministrisë së Bujqësisë për grurin e korrur që nuk merret nga pikat e grumbullimit, por edhe kur merret çmimi është shumë i ultë, 20 deri 22 lekë për kilogram. Fermerët grurin e korrur e kanë magazinuar në oborret e shtëpive ose nëpër parcela. Shumica e tyre kanë ndërprerë korrjen duke shkaktuar firo, pasi çdo ditë që kalon gruri shkoqet dhe bie në tokë.
Në këtë situatë fermerët kërkojnë që Ministria e Bujqësisë të bëjë rregullatorin për zgjidhjen e problemit, pasi vetëm në këtë zonë kultivohen rreth 600 hektarë me një prodhim rreth 2400 tonë grurë.
Fermerët thonë se me këto politika, ku gruri vjen nga Serbia apo vendet e rajonit, po detyrohen të largohen jashtë vendit.