I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar,tha të mërkurën se zbatimi i marrëveshjes Kosovë–Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, që u arrit në Ohër,fillon me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai i bëri këto komente një ditë pas takimit të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në të cilin palët diskutuan për projektstatutin e Asociacionit, themelimi i të cilit kërkohet edhe me marrëveshjen e Ohrit, të cilën zoti Escobar e cilësoi ligjërisht të detyrueshme.
Ai tha se pati një përparim të vogël rreth themelimit të asociacionit në bisedimet e së martës, për të cilat shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ishin “një hap simbolik” rreth kësaj çështjeje.
Zoti Escobar tha se zgjidhja duhet kërkuar në një kompromis ndërmjet palëve, duke mohuar të ketë trysni vetëm mbi Kosovën për këtë çështje.
Marrëveshja e Ohrit, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve, respektimin e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës.
Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.
Plani parashikon edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Kështu u shpreh të mërkurën edhe ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, i cili tha se bisedimet janë të vështira dhe ka pak përparim.
“Është një ton i keq. Askush nuk thotë asgjë të mirë ndërmjet takimeve në kuadër të bisedimeve.
Është një proces i vështirë dhe çështjet janë të vështira me rrënjë në histori dhe në luftë.
Por, nuk e di cila është alternativa”, tha ambasadori Hill në një konferencë në Shkup mbi sfidat e sigurisë rajonale, duke nënvizuar se bisedimet duhet të përshpejtohen.