Erozioni i lumit Vjosë në fshatin Kashisht në Fier, është shfaqur frikshëm vitet e fundit, duke rrezikuar rreth 40 banesa. Banorët shprehen të indinjuar se si pasojë e gërryerjes, shtrati është afruar shumë pranë banesave, ndërsa kanë theksuar se kjo situatë është përkeqësuar për shkak të punimeve  jo cilësore të peneleve mbrojtës. Po sipas tyre dy penelet e ndërtuar rreth viteve 70-të janë të vetmit që vijojnë ti rezistojnë erozionit.

Përballë kësaj situate banorët kërkojnë ndërtimin e peneleve cilësorë për të parandaluar erozionin i cili përparon me ritme të shpejta duke e bërë situatën edhe më alarmante .

Ndërkohë prurjet e  Vjosës kanë nxjerrë jashtë funksionit dhe sipërfaqe të tëra bujqësore dhe jobujqësore për të cilat banorët nuk janë dëmshpërblyer asnjëherë.

Ndërkohë i pyetur për këtë problematikë , kreu i njësisë administrative Frakull, Dashnor Troka, ka pohuar se një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në përkeqësimin e këtij fenomeni, ka qënë shpyllëzimi.

Administratori Troka ka pohuar gjithashtu se në mënyrë urgjente duhen marrë masa nga Ministria e Bujqësisë për të investuar për ndërtimin e argjinaturave por edhe për pyllëzimin e sipërfaqeve në brigjet e lumit Vjosë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds