Ekstradohet nga Gjermania, ish-oficeri i RENEA-s, Adrian Pikli, i cili është akuzuar nga GjKKO, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për posedim të armëve të zjarrit.
‘Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, u ekstradua shtetasi Adrian Pikli, 29 vjeç’, bën të ditur policia.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, më datë 15 maj 2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Kush është i ekstraduari.
Adrian Pikli, është ish oficeri i RENEA-s i cili dyshohet të ketë bashkëpunuar me eksponentë të krimit për çështje të trafikut të armëve.
Nga ana e SPAK është kryer analizimi i komunikimeve të kryera nga shtetasi Deivis Barjamaj me kontakte të tjera dhe është bërë e mundur identifikimi i një bashkëpunëtori të tij të ngushtë të quajtur Adrian Pikli.
Këta dy shtetas kanë një intensitet të lartë komunikimesh me njëri-tjetrin dhe bisedat mes tyre janë kryer me qëllim zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të prodhimit dhe shitjes së armëve dhe municioneve.
Të dy këta shtetas kanë një bashkëpunim të qëndrueshëm në zhvillimin e këtij aktivitetit duke siguruar armët dhe municionet, modifikimin e tyre, krijimin e kontakteve me personat e interesuar për blerje dhe shitjen e tyre me qëllim përfitimin monetar. Në periudhën e komunikimeve shtetasi Adrian Pikli rezulton i punësuar në institucionin e Policisë së Shtetit dhe konkretisht në repartin RENEA. Ky shtetas duke shfrytëzuar pozicionin si punonjës policie krijon lehtësira për zhvillimin e këtij aktiviteti të paligjshëm të organizuar nga ai vetë dhe bashkëpunëtori i tij.
Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli sigurojnë armë dhe municione brenda territorit të Shqipërisë por në raste të caktuara shprehen që i trafikojnë edhe nga shteti i Serbisë dhe Kosovës.