Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e opozitës mësohet se kanë rënë dakord për lista të hapura në 2/3 e tyre dhe 1/3 të mbyllura. Ato parashikohet të dorëzojnë në KQZ dy lista; listë shumemërore të fiksuar të kandidatëve, si dhe listën shumemërore të kandidatëve, që i nënshtrohen votimit parapëlqyes. Lista e fiksuar renditet me shifra duke nisur nga njëshi, ndërsa lista shumemërore e kandidatëve me votim të parapëlqyer nga zgjedhësit vendosen në rend alfabetik sipas mbiemrave të tyre.
Ekspertët e pavarur që ndjekin prej shumë vitesh nga afër proceset zgjedhore në Shqipëri pohuan se ndryshimet e pritshme në Kodin Zgjedhor të dakordësuara mes PS-së dhe PD-së për listat e hapura në 2/3 e tyre dhe votimet nga jashtë vijnë si reagim ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk përmbushin asgjë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it mbi përmirësimin e procesit zgjedhor në Shqipëri dhe shmangien e shkeljeve të konstatuara në zgjedhjet e mëparshme.
Ekspertët shprehin shqetësim mbi të njëjtat sjellje shumëvjeçare të partive shqiptare si fajësimi i kundërshtarit politik për gjithçka, mungesë vullneti për zgjedhje demokratike, bllokime të vazhdueshme, sjellje joserioze dhe negociata të fshehta, jo të hapura dhe gjithëpërfshirëse siç kanë bërë thirrje institucionet ndërkombëtare.
Ekspertët vlerësojnë se ashtu si edhe në zgjedhje të mëparshme, listat e fiksuara dhe të përgatitura nga kryetarët apo kryesitë e partive pritet të sjellin deputetë me cilësi dhe veprimtari të zbehta, të cilëve u kërkohet vetëm të miratojnë gjithçka që propozon drejtuesi i formacionit të tyre politik.
Nga ana tjetër, votimi i shqiptarëve nga jashtë vendit me postë vlerësohet nga ekspertët si risia më e rëndësishme në zgjedhjet e ardhshme, nisur nga fakti që Shqipëria është i vetmi vend në continent, që nuk e ka ende këtë mundësi, si dhe nga fakti që afro gjysma e votuesve në listat e KQZ-së nuk jetojnë në Shqipëri.
Por ata theksojnë se këto procedura duhen përsosur më tej në të ardhmen, se nuk mjaftojnë që shqiptarët të votojnë nga jashtë, por edhe të përfaqësohen në procesin ligjvënës.