Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një komisioni që do të zbardhë lidhjet e politikës me krimin. Kjo u bë e ditur nga deputeti demokrat Edi Paloka, i cili në një konferencë për mediat, tha se ai do të jetë Komisioni i së Vërtetës. “Ju e dini tashmë që nga bisedat në Sky dhe Encrochat janë zbuluar lidhje të politikës me krimin dhe kjo është një nga çështjet më thelbësore.
Ju garantoj se nga informacionet që kemi ne nuk ka deputetë të opozitës të lidhur me krimin.
Është përhapur një informacion i rreme në media për deputetë të opozitës, por ky informacion synon shantazhimin e deputetëve .,tha Paloka. Ai tha se Komisioni i së Vërtetës do të zbardhë për shqiptarët të gjitha lidhjet e politikës me krimin e organizuar.
Po ashtu theksoi se Partia Demokratike do të vendosë në mbledhjen e Grupit Parlamentar, që do të zhvillohet në orën 15:00, raportet që do të kenë me Kuvendin, pas burgosjes së ligjvënësit Ervin Salianji.
Ai tha se me përjashtim të tij dhe deputetes Jorida Tabaku, asnjë nga ligjvënësit e PD-së, nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e Komisioneve.
“Vendimi do të merret në mbledhjen e grupit parlamentar, por sot në mbledhjen e Komisionit për çështjet Europiane, unë dhe deputetja Tabaku morëm pjesë dhe mbajtëm qëndrimin tonë përsa i takon procesit të integrimit. Ne nuk qëndruam, bëmë publik qëndrimin e opozitës dhe u larguam”, tha Tabaku.