Kur dy astronautë amerikanë u nisën në një mision provë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës më 5 qershor, ata prisnin të ktheheshin në shtëpi brenda pak ditësh.
Por gjërat nuk shkuan siç duhej. Në fakt, Barry “Butch” Wilmore dhe Sunita Williams janë ende atje, pas gati dy muajsh. Dyshja mund të kalojë edhe Vitin e Ri në hapësirë.
Z. Wilmore, 61 vjeç dhe Williams, 58 vjeç, fluturuan me një anije kozmike Boeing Starliner. Ishte fluturimi i parë i këtij lloji me njerëz në bord dhe ishte një provë e krijuar për të parë se si funksionon anija e re kozmike përpara se të përdoret rregullisht.
Por atyre i janë shfaqur probleme. Kjo pasi ka rrjedhje në një nga sistemet, që pengon kthimin në tokë. Atyre do t’u duhet një mënyrë alternative transporti për të shkuar në shtëpi nëse Starliner nuk konsiderohet i sigurt për t’u kthyer.
Në një konferencë shtypi të mërkurën, zyrtarët e NASA-s thanë se nuk ishte marrë asnjë vendim kur bëhet fjalë për hapat e ardhshëm.
Një opsion i mundshëm që po shqyrtohet, thanë ata, është dërgimi i dy astronautëve në një mision që është planifikuar të nisë në shtator dhe kthimi i tyre në tokë në shkurt 2025.
Ai fluturim drejt stacionit hapësinor do të bëhet nga një anije SpaceX Crew Dragon. Plani fillestar ishte që katër anëtarë të ekuipazhit të ishin në bord, por dy nga vendet mund të liheshin bosh nëse ishte e nevojshme.
Ky plan nënkupton se astronautët do të kalojnë më shumë se tetë muaj, në vend të tetë ditëve, në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).
Nëse përdoret Crew Dragon, anija Starliner do të kthehet në Tokë pa asnjë ekuipazh, nën kontrollin e kompjuterit.
Zyrtarët e NASA-s thanë se mund të duhet një javë ose më shumë që të merret një vendim përfundimtar.
Përdorimi i një anijeje SpaceX për të kthyer astronautët do të ishte një goditje për Boeing, i cili është përpjekur për vite të tëra të konkurrojë me kompaninë dhe Crew Dragon e saj më me përvojë.
Në fillim të kësaj jave, NASA përdori një raketë SpaceX për të ofruar më shumë ushqim dhe furnizime në ISS, duke përfshirë rroba shtesë për dy astronautët.
Muajin e kaluar, në një konferencë të shkurtër për shtyp, dyshja thanë se ishin “absolutisht të sigurt” në udhëtimin e kthimit dhe Starliner ishte “me të vërtetë mbresëlënëse”.