Të dyja palët ukrainase dhe ruse në konfliktin e armatosur që po zgjat mbi dy vjet po përdorin dronë që u mundësojnë operatorëve që të shohin sikur të ishin brenda mjetit të vogël fluturues me kosto të ulët dhe më vdekjeprurës. Këta dronë njihen ndryshe si FPV.
Në pjesën jugore të Donbasit, ushtarët ukrainas po stërviten për të rritur shpejtësinë e veprimit, duke e ditur se dronët e rinj mund t’i ndjekin ata këmba-këmbës për t’i asgjësuar. Ata e kuptojnë se dislokimi i tyre i radhës në vijat e frontit mund të jetë i fundit.
Dronët FPV janë të pajisur me kamera që transmetojnë pamje drejtpërdrejt në syzet speciale të operatorëve të tyre, të cilët e shohin fushën e betejës sikur të ishin brenda mjetit fluturues. Operatori e komandon dronin e pajisur me mjete shpërthyese, përmes një tableti dhe e përplas atë me objektivin.
Dronët kushtojnë rreth 300 dollarë. Ata fluturojnë shumë ulët, duke e vështirësuar kapjen nga radarët, ndryshe nga dronët konvencionalë, të cilët gjurmohen lehtë dhe eliminohen lehtësisht nga njësitë kundërajrore.
Kostoja e ulët dhe efikasiteti i lartë ka bërë që këta dronë të përhapen gjerësisht që nga mesi i vitit 2023. Falë teknologjisë së avancuar të komunikimit dhe transmetimit të sinjalit, dronët godasin më ashpër dhe futen më thellë në territorin e armikut.
Nga një dhomë e errët në thellësi të pyjeve të Donbasit, komandanti i njësitit drejton flotën e dronëve. Një operator ukrainas ka vënë në shënjestrën e dronit një automjet të blinduar rus dhe përplaset me të. Një dron tjetër gjurmon nga distanca për të konfirmuar rezultatin e sulmit.
Në dhomën tjetër, printerat 3D po prodhojnë pjesë plastike që do të montohen në motorët elektrikë të blerë në Kinë. Dhjetëra nga këta dronë dërgohen në vijat e para të frontit çdo ditë duke i shkaktuar dëme forcave ruse.
Dronët FPV mund të duken si lodra, por transportojnë bomba të afta për të shkatërruar pajisjet dhe gjymtuar personelin.