GjKKO ka caktuar masën arrest me burg për tre shqiptarët e arrestuar si pjesëtarë të një grupi që trafikonin drogë në Francë, kokën e grupit Redian (Refik) Doda dhe dy anëtarët e tjerë Zabit (Artur) Fisniku dhe Fabi Isaku.

SPAK në bashkëpunim me autoritetet franceze kanë shkatërruar grupin kriminal të trafikut të drogës një ditë më parë, ku në pranga kanë rënë 19 persona, mes tyre edhe tre shqiptarët. Sipas SPAK grupi drejtohej nga shqiptari i cili jetonte në vendin tonë, dhe “dirigjonte” në distancë.

Nga operacioni janë sekuestruar automjete, para dhe lëndë narkotike, e cila kap vlerën  e mbi 1 milion euro. Në total janë sekuestruar, 15 automjete, 34.270 euro cash, 1000 franga zviceriane, 180.000 lekë të reja, 9 aparate celularë, 3 tableta, 1 kamerë, dokumente dhe karta SIM.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 02.07.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje, në respektim të nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, të personave nën hetim Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, Fabi Isaku, dhe lënien në fuqi të masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, të caktuar me vendimin Nr. 66 Akti, datë 28.06.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 70, datë 03.07.2024 vendosi:

1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale caktuar ndaj personit nën hetim Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, Fabi Isaku me vendimin Nr. 66, datë 28.06.2024 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 e Kodit Penal, “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/ i Kodit Penal, si dhe
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal.

2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit  për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.  Tiranë, më datë 03.07.2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds