Blegtorët dhe fermerët të cilët prej ditësh janë në vështirësi për shkak të çmimit të ulët që po u ofrohet nga grumbulluesit kanë protestuar sot. Ata kërkojnë të subvencionohen nga shteti, pasi produktet që vijnë nga importi shiten më çmim më të lirë se produktet e tyre. Fermerët erdhën me traktorët e tyre nga Fieri, Berati, Lushnja e Kavaja për të protestuar për padrejtësinë që, sipas tyre, po u bëhet nga industria e qumështit në rrethrrotullimin e Savrës në Lushnjë.
Në mënyrë demonstrative blegtorët kanë derdhur një tanker me qumësht të freskët në rrugë.
Blegtorët dhe fermerët kërkojnë të dëgjohen nga gjithë institucionet që nuk ushtrojnë autoritetin sipas ligjit dhe kërkojnë zgjidhje përndryshe do të intensifikojnë protestat.