Prej vitesh Shqipëria nuk është e aftë të përfshijë asnjë medikament novator për sëmundjet e rralla dhe ato të rënda, përfshirë dhe diabetin që po shndërrohet në pandemi  dhe po merr gjithnjë e më shumë hapësirë në listën e rimbursimit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Fondi i Detyrueshëm i Sigurimit dhe Kujdesit Shëndetësor (FDSKSH), gjatë vitit të kaluar, fondet që shkuan për disbursimin e fishave të diabetit arritën një vlerë prej 2,2 miliardë lekësh, duke zënë gati me 20% të fondeve totale të rimbursimit prej rreth 11 miliardë lekësh në vitin 2022.

Fondi shpjegoi se në tërësi është grupi i insulinave, rritja e konsumit të tyre, që ka shkaktuar këtë rritje të lartë të shpenzimeve të rimbursimit.

Të dhënat tregojnë se shpenzimet për rimbursimin e diabetikëve po arrijnë medikamentet për sëmundjet e sistemit kardiovaskular, i cili vitin e kaluar zuri 24 për qind te fondit total të rimbursimit.

Diabeti po gjen përhapje të shpejtë vitet e fundit dhe kjo si pasojë e stilit defektoz të jetesës. Çdo vit shtohen 3 deri në 5 mijë raste të reja me diabet. Në vendin tonë, të dhënat flasin për rreth 75 mijë të diagnostikuar me këtë sëmundje.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se të sëmurët kronikë në vendin tonë dominohen nga dy grup diagnozash, diabeti dhe hipertensioni që vijnë si pasojë e mungesës së aktivitetit fizik dhe kequshqyerjes.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2021, gati gjysma e të sëmurëve kronike që trajtohen me rimbursim vuanin nga hipertensioni dhe diabeti.

Sipas qarqeve, Durrësi ka përqindjen më të lartë të pacientëve kronik të trajtuar për Diabet Mellitus me 14,5%, ndërsa për Hipertension Arterial përqindjen më të lartë e ka qarku Kukës me 48,4%.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds