Do të dëshmojnë sot në SPAK bashkëshortja e Aleks Nikës dhe xhaxhai i të ndjerit!

Bashkëshortja e Nikës, Rajmonda Nika dp të paraqitet në orën 10:00, ndërsa xhaxhai i viktimës, Mark Nika në orën 12:00, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.

Ata thirren si persona që kanë dijeni dhe për të dhënë detaje për hetimin, pas rihapjes së hetimit për 21 Janarin.

Pas një viti kundërshtish gjyqësore nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e të ndjerit Aleks Nika, SPAK iu bind Gjykatës së Lartë dhe regjistroi “21 janarin” një ditë më parë.

Pavarësisht se në denoncim përmendet ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi, SPAK e regjistroi çështjen pa emrat e tyre.

Në njoftimin për shtyp SPAK thotë se e regjistroi procedimin për vrasje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, pasi siç shton Prokuroria e Posaçme dyshohet se mund të jenë kryer nga ish funksionarë të lartë shtetërore gjatë ushtrimit të detyrës.

Ashtu siç e urdhëron Gjykata e Lartë SPAK deklarohet kompetent për këto hetime, dhe kërkon të tërheqë fashikujt e 21 janarit pranë Prokurorisë së Tiranës për të zbuluar vrasësit e Aleks Nikës.

Si Gjykata e Lartë edhe SPAK përmend vendimin e Gjykatës Europiane që në nëntor 2023 tha se nuk ishte zbardhur përgjegjësia e mundshme e zinxhirit komandues të Gardës.

Në këtë vendim të Strasburgut ku u tregua se shteti kishte dështuar për ta hetuar demonstratën e 21 janarit 2011 thuhet se hetimi ishte ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues.

Si probleme të tjera u numëruan fshirja e regjistrimeve të incidentit dhe mos ndjekja e pistave kyçe të hetimit si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë.

Këto mangësi ngritën dyshimin se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim – konsideroi Strasburgu.

Nga vrasja e katër demonstruesve në bulevard drejtësia ka zbardhur vetëm dy prej tyre , të Ziver Veizaj dhe Faik Myrtaj, ndërsa mbeten ende pa autor vrasja e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës.

Por familjarët e katër viktimave kërkojnë që tanimë hetimit të zbulojë edhe funksionarët që urdhëruan për tu qëlluar me armë zjarri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds