Dënohet me 8 muaj burg Vladimir Zoto, i cili akuzohet për korrupsion. GJKKO ka vendosur të konvertojë dënimin e Zotos me shërbim prove për një periudhë kohe prej 1 vit e 4 muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin e tij.

VENDIMI I GJKKO
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurit Vladimir Zoto.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Erjon Bani, me vendimin Nr. 47, datë 26.07.2024 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Vladimir Zoto, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
2. Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Vladimir Zoto me 8 (tetë) muaj burgim.
3. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim duke e vënë të pandehurin Vladimir Zoto në provë për një periudhë kohe prej 1 (një) vit e 4 (katër) muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin e tij.
4. Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit në shumën 20.000 leke, si dhe shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim të pandehurit.
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit. Tiranë, më datë 26.07.2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds