Rritja e produktivitetit është një kusht i domosdoshëm për të mbështetur një rritje të qëndrueshme të pagave dhe për të luftuar efektet negative të emigracionit mbi ekonominë.

Në një prononcim për “Monitor”, Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e pagave adreson atë pjesë të problemeve demografike që vjen nga emigracioni, por nga ana tjetër, kjo rritje duhet të mbështetet te reformat që synojnë të përmirësojnë klimën e biznesit dhe të rrisin produktivitetin.

Banka e Shqipërisë vlerëson se institucionet publike duhet të bëjnë një investim madhor në kohë, vëmendje dhe energji, për mbylljen me sukses të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, në një kohë sa më të shpejtë.

Lidhur me varësinë në rritje të ekonomisë ndaj turizmit, Banka e Shqipërisë gjykon se ky ekspozim nuk është ende në nivele të cilat mund të përbëjnë rrezik për perspektivat afatgjata të zhvillimit të vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, për ekonomi të vogla, si Shqipëria, balanca mes diversifikimit dhe specializimit mund të anojë më shumë nga ky i fundit.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë shprehet se politikat e zhvillimit duhet të fokusohen më shumë në nxitjen e zhvillimit të sektorëve ekonomikë, të cilët ofrojnë ende hapësira të pashfrytëzuara zhvillimi, si bujqësia dhe industria, qoftë ajo energjetike, nxjerrëse apo përpunuese.

Banka e Shqipërisë ka pritshmëri pozitive për ecurinë e sektorit bankar edhe gjatë vitit 2025. Treguesit e veprimtarisë së sektorit bankar dhe zhvillimet e përgjithshme ekonomike, sugjerojnë që sektori bankar do të ketë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e veprimtarisë së tij.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2024?

Viti 2024 ka qenë pozitiv për ekonominë shqiptare. Pavarësisht sfidave të vazhdueshme, ajo ka vijuar rrugën e saj drejt rritjes e zhvillimit, konsolidimit të burimeve të rritjes dhe ekuilibrave makroekonomikë, si dhe përmirësimit të standardeve të jetesës.

Për të ilustruar këtë progres, do të ndalem shkurtimisht në disa prej treguesve kryesorë të shëndetit ekonomik e financiar të ekonomisë.

Së pari, inflacioni u përgjysmua nga nivelet e larta të një viti më parë, duke zbritur në nivelin mesatar 2.2%. Kjo rënie ka ndikuar pozitivisht në uljen e kostos së jetesës dhe në përmirësimin e fuqisë blerëse të të ardhurave dhe kursimeve të familjeve shqiptare.

Një rol të rëndësishëm në këtë arritje ka luajtur politika jonë monetare falë një qasjeje të kujdesshme dhe proaktive ndaj goditjeve të vazhdueshme në mjedisin e huaj.

Kjo politikë ka kontribuuar në ankorimin e pritjeve të agjentëve ekonomikë për inflacionin dhe në garantimin e një mjedisi financiar të qëndrueshëm, duke krijuar bazat për një rritje të shëndetshme të ekonomisë në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Së dyti, rritja ekonomike mbeti në nivele të larta, rreth nivelit 4%, e mbështetur nga bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, nga kushtet e favorshme të financimit, si dhe nga klima pozitive e besimit në ekonomi.

Po aq i rëndësishëm është fakti se kjo rritje është përkthyer në rritje të punësimit dhe pagave, çka do të thotë më shumë të ardhura për familjet shqiptare, veçanërisht në një mjedis me inflacion të ulët.

Së treti, tregues të tjerë të shëndetit ekonomik dhe financiar të vendit janë përmirësuar ndjeshëm. Borxhi i huaj dhe ai publik kanë shënuar rënie, bilancet financiare të familjeve dhe bizneseve kanë mbetur të qëndrueshme, ndërsa sektori bankar ka konsoliduar rolin e tij si ndërmjetës financiar.

Krahas politikës monetare akomoduese, shëndeti i fortë i këtij sektori dhe qasja e tij pozitive ndaj kreditimit ka sjellë plotësimin e kërkesave të familjeve dhe të bizneseve për kredi bankare. Kjo e fundit ka shënuar një rritje mesatare rreth nivelit 15% gjatë vitit 2024, duke mbështetur zgjerimin e konsumit dhe të investimeve në ekonomi.

Të gjitha këto arritje domethënëse kanë mundësuar përmirësimin e renditjes së borxhit publik nga agjencitë ndërkombëtare prestigjioze, një hap historik, i cili pritet të ndihmojë në uljen e kostove të financimit për sektorin publik dhe privat, dhe njëherazi të krijojë më shumë hapësirë për investime afatgjata në ekonominë shqiptare.

Gjithashtu, progresi i bërë në fushën ekonomike ka qenë një parakusht i plotësuar për hapjen zyrtare, në muajin nëntor, të procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Megjithatë, edhe në këtë tablo pozitive, sfidat për të ardhmen nuk mungojnë. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të angazhohet për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, në interes të rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

Vitet e fundit, duket se ekonomia vendase po shfaq një varësi të konsiderueshme nga kërkesa e lidhur me turizmin, si në degët e shërbimeve, ashtu edhe në sektorin e pasurive të paluajtshme. Besoni se varësia në rritje e ekonomisë nga turizmi shtron rreziqe dhe si mund të menaxhohen ato?

Është e vërtetë që sektori i turizmit është duke përjetuar një ekspansion të shpejtë gjatë viteve të fundit, të diktuar si nga rritja e interesit të të huajve për të vizituar Shqipërinë, ashtu edhe nga përmirësimi sasior e cilësor i ofertës sonë.

Me gjuhën e shifrave, numri i turistëve të huaj është rritur nga 6.4 milionë në vitin 2019, në rreth 11.6 milionë për katër tremujorët e fundit që mbarojnë në shtator 2024. Po ashtu, për të njëjtin horizont kohor, të ardhurat hyrëse nga turizmi janë zgjeruar nga 2.1 miliardë euro në vitin 2019, në 4.8 miliardë euro në 2024.

Paralelisht me të, edhe investimet e jorezidentëve në sektorin e pasurive të paluajtshme janë rritur nga 110 milionë euro në rreth 380 milionë euro.

Natyrisht, kjo rritje e shpejtë, e përqendruar sidomos në periudhën pas pandemisë, ka gjeneruar një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit gjatë kësaj periudhe, duke kompensuar në një masë të madhe ndikimin negativ të situatës së përgjithshme ekonomike dhe financiare në Bashkimin Europian.

Kjo dinamikë ngre, me të drejtë, pyetjen mbi ekspozimin që ka ekonomia shqiptare ndaj këtyre sektorëve. Në gjykimin tim, ky ekspozim nuk është ende në nivele të cilat mund të përbëjnë rrezik për perspektivat afatgjata të zhvillimit të vendit.

Në një këndvështrim teorik, debati midis diversifikimit dhe specializimit të strukturës ekonomike nuk ka një përgjigje të plotë dhe definitive. Nga njëra anë, një strukturë ekonomike e diversifikuar është premisë për një rritje ekonomike më të qëndrueshme, falë një rezistence natyrale që ekonomia ka ndaj goditjeve sektoriale.

Nga ana tjetër, një strukturë ekonomike më e specializuar në avantazhet konkurruese të vendit, është premisë për një produktivitet më të lartë dhe një rritje më të shpejtë ekonomike. Për ekonomi të mëdha, balanca e këtyre faktorëve është e zhvendosur drejt diversifikimit, ndërsa për ekonomi të vogla dhe të hapura, ajo është më e zhvendosur drejt specializimit.

Në rastin konkret, rritja e shpejtë e turizmit është ndikuar shumë nga rritja e preferencës për udhëtime të afërta në periudhën post-pandemike dhe rritja e vëmendjes ndaj Shqipërisë si destinacion tërheqës turistik.

Natyrisht, ky zhvillim duhet mirëpritur dhe nuk duhen krijuar barriera artificiale për frenimin e tij, për mbrojtjen e sektorëve të tjerë nga konkurrenca në tregun e punës dhe atë të burimeve financiare.

Megjithatë, në terma më afatgjatë, politikat e zhvillimit duhet të fokusohen më shumë në nxitjen e zhvillimit të sektorëve ekonomikë, të cilët ofrojnë ende hapësira të pashfrytëzuara zhvillimi, si bujqësia dhe industria, qoftë ajo energjetike, nxjerrëse apo përpunuese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds