Greqia duket e ndarë në dy pjesë pas vërshimit të lumit Pinio jashtë shtratit paraditen e së shtunës. Që nga orët e para të mëngjesit është bllokuar autostrada Athinë-Selanik, nuk qarkullojnë linjat e autobusëve Athinë-Selanik, Larisa-Selanik, linja që mbulojnë rajone të shumta të vendit. Orë dramatike vijojnë të përjetojnë banorët e zonave Trikala, Larisa dhe Kardhica.

Numri i viktimave ka arritur në 11, ndërsa askush nuk mund të thotë një numër të saktë për të humburit, ndërsa në intervista e dëshmi të shumta të banorëve të fshatrave përreth Kardhicës bëhet fjalë për dhjetëra të humbur.

Në median greke theksohet me tmerr për atë se çfarë do të zbulohet pasi të largohet uji e balta, por edhe për shifrën e viktimave që mund të ketë shkaktuar stuhia “Daniel”, pasi mesazhi i urgjencës këshillonte banorët të mos qarkullojnë jashtë shtëpive e jo të evakuojnë zonën. Mesazhet për evakuim si dhe ndihma nga ushtria e mekanizmi shtetëror arritën të enjten, kur sipas banorëve ishte tepër vonë.

Në qytetin e Larisës vijon situata emergjente, pasi lumi Pinio ka përmbytur rrethinat e qytetit duke kërcënuar dhe qendrën. Në shumë zona lartësia e uijit arrin deri në 3 metra. Qyteti bregdetar Volos është i mbuluar nga balta e uji.

Në Kardhitsa 8 fshatra janë zhdukur nën ujë, në Pilion jugor dëmet janë pafund, në Trikala vijojnë përmbytjet nga lumenjtë. Në një video të orëve të fundit nga sateliti duken përmasat masive të përmbytjes në fushën Thesalia dhe rajonin Magnesia, zona më e madhe fushore e vendit.

Mjekët dhe epidemiologët bëjnë thirrje për epidemitë që mund të shpërthejnë nëse situata nuk vihet shumë shpejt nën kontroll. Ndërsa banorët të dëshpëruar kërkojnë ujë të pijshëm dhe ushqime e sende higjienike, ndërkohë që qindra iniciativa solidarizimi kanë filluar nga gjithë vendi për të mbështetur zonat e prekura.

Së fundi, shkollat në zonën Magnesia si dhe të gjitha në fushën Thesalia do të hapen nga e hëna e ardhshme 18 shtator, ndryshe nga pjesa tjetër e vendit që fillojnë këtë të hënë.

Për sa i përket zgjedhjeve të pushtetit lokal, që do të mbahen në 8 tetor, nga java e ardhshme pritet udhëzimi se si do të veprohet në zonat e prekura.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *