Bashkimi Europian është nga mbështetësit më të mëdhenj financiarë të Ballkanit Perëndimor, por të dhënat e analizuara për vitet 2007 dhe 2020 nga Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike tregojnë se Shqipëria kishte përfitimet më të ulëta.

BE-ja ka qenë aktive në rajon me mbështetje buxhetore, e cila përfshin transferta të drejtpërdrejta financiare për organet publike dhe kompanitë private të vendeve partnere, të cilave në këmbim u kërkohet të kryejnë reforma të zhvillimit të qëndrueshëm.

Mbështetja totale buxhetore e konsumuar për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë dhe vendet e Partneritetit Lindor nga BE arriti në 2.4 miliardë euro në 2020.

Ndarja e angazhimeve sipas vendeve tregon se Turqia mbetet marrësi më i madh i mbështetjes buxhetore të BE-së për sa i përket vëllimit (42% e mbështetjes totale të alokuar për rajonin në vitin 2020), e ndjekur nga Serbia (16%).

Nivelet më të ulëta të mbështetjes buxhetore iu ndanë Shqipërisë dhe Kosovës (përkatësisht 2.3% dhe 2.5%).

Në vitin 2007, Shqipëria kishte marrë rreth 6% të mbështetjes buxhetore, duke ia kaluar Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Në të dyja periudhat e marra në shqyrtim, Serbia është vendi i rajonit që ka arritur të tërheqë më shumë fonde.

Së fundmi, Komisioni Europian konfirmoi se ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II, një program për bujqësinë, i cili pritej ta rriste ndihmën në masën 146 milionë euro.

Ka qënë deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi që ka protestuar me një hyrje të pazakontë në Kuvend me një shalqi bosh, të mbushur me kastravec brenda. Protesta e deputetit vjen në një moment ku opozita akuzon qeverinë për abuzim me fondet e BE-së për mbështetjen e fermerëve dhe agropërpunuesve, IPARD II.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *