Disa banorë të fshatit Bërxullë, teksa pritet që sot t’u shemben banesat, kanë shkuar në qendrën administrative të Kasharit, ku kanë kërkuar kontratën e qirasë për banesë sociale. Pavarësisht se banorëve iu është komunikuar nga autoritetet se ishin pajisur me një kontratë qiraje për 3 vite, kjo gjë, nuk ka qenë e mundur.
“Ne na ka ardhur IKMT te shtëpia. Administratori na tha; shkoni te njësia administrative e Kasharit, se e keni kontratën gati për banesë sociale. Po na presin neve. A keni gjë për të na dhënë?”, thotë një nga banorët. Ndërkohë zyrtari thotë se; “Jo nuk kam”. Kujtojmë se nga ky projekt preken 6 familje, të cilat kundërshtojnë shembjen e banesave, ndërsa theksojnë se nuk janë përfshirë në skemën e dëmshpërblimit.