Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut interceptoi dy avionë bombardues rusë dhe dy kinezë që fluturonin afër Alaskës të mërkurën, në atë që një zyrtar i mbrojtjes amerikane tha se ishte hera e parë që të dy vendet kapen ndërsa veprojnë së bashku.
Bombarduesit mbetën në hapësirën ajrore ndërkombëtare në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Alaskës dhe “nuk u panë si kërcënim”, sipas një deklarate nga NORAD.
“SHBA dhe Kanadaja, që së bashku kontrollojnë hapësirën ajrore të amerikës së veriut, gjurmuan bombarduesit rusë TU-95 Bear dhe kinezët H-6. Avionët nuk hynë në hapësirën ajrore sovrane të SHBA-së apo Kanadasë”, tha NORAD.
Kjo shënon gjithashtu herën e parë që bombarduesit H-6, të cilët janë kopje të bombarduesve më të vjetër sovjetikë, hyjnë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Alaskës, tha zyrtari i mbrojtjes. Gjurmimi i këtyre bombarduesve u krye nga avionët luftarakë amerikanë F-16 dhe F-35, si dhe avionë luftarakë kanadezë CF-18, sipas zyrtarit të mbrojtjes. Avionët mbështetës ishin gjithashtu pjesë e gjurmimit, tha zyrtari.
Fluturimet ruse në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Alaskës nuk janë të rralla. Në maj, Rusia dërgoi katër avionë në këtë zonë të Alaskës. Por prania e avionëve kinezë duket të jetë një zhvillim i ri. Në mars, kreu i Komandës Veriore të SHBA-së, gjenerali Gregory Guillot, tha se Kina po shtyhej më thellë në Arktik dhe se ai priste të shihte atje avionët kinezë, shumë shpejt.