Projekt vendimet për Butrintin, Gjirokastrën dhe Beratin të bëra publike nga UNESCO flasin për një seri detyrimesh të papërmbushura nga Shqipëria dhe për shqetësime nga organizata botërore për një seri çështjesh.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që mblidhet gjatë këtij muaji në Indi në sesionin e 46-të, pritet t`u drejtojë autoriteteve shqiptare kritika të forta për menaxhimin e Butrintit, Gjirokastrës, Beratit dhe Ohrit që janë përfshirë në listën e pasurive botërore.

Projekt-vendimet e Komitetit të UNESCOS janë bërë të njohura deri tani për Butrintin si dhe për Beratin dhe Gjirokastrën, si pasuri të trashëgimisë në seri, ndërkohë që projektvendimi për Ohrin ende nuk është publik.

Misionet e mëparshme të UNESCOS kanë qenë tejet kritike si ndaj palës shqiptare edhe atë maqedonase edhe për Ohrin, sidomos për moskontrollin e ndërtimeve pa kriter buzë liqenit.

UNESCO thotë në projekt-vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin, se vëren me keqardhje se, pavarësisht kërkesave të mëparshme, Shqipëria nuk ka zbatuar plotësisht projektin për zhvillimin e Planit të Menaxhimit në bashkëpunim me sektorin qeveritar dhe civil, financuar nga Fondi i Trashëgimisë Botërore”.

UNESCO u kërkon autoriteteve shqiptare të paraqesin një projekt parafinal të planit të menaxhimit , i cili do të shërbejë si bazë për ndonjë ndihmë të mëtejshme nga Qendra e Trashëgimisë Botërore dhe Organet Këshillimore.

Shqipëria në raportin e saj në shkurt të këtij vitit të dorëzuar në UNESCO tha se nuk kishte arritur të përfundonte Planin e Menaxhimit për Beratin dhe Gjirokastrën, pasi grupi që punonte për dokumentin u zhvendos i tëri nga Ministria e Kulturës në një ministri tjetër.

Së fundi, UNESCO i kërkon Shqipërisë që t’i paraqesë Qendrës së Trashëgimisë Botërore, deri më 1 shkurt të vitit 2025, një raport të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes dhe zbatimin e kërkesave të misioneve të UNESCOS , i cili do merret për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 47-të.UNESCO në analizën e saj ka vlerësuar ndërkaq progresin e bërë në përmirësimin e gjendjes së ruajtjes dhe mbrojtjes nëpërmjet nismës së Bonusit të Rijetëzimit dhe në përmirësimin e rregulloreve urbanistike të Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës.

Gjirokastra u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s më 15 korrik të vitit 2005 dhe më 8 korrik të vitit 2008 u përfshi si një pasuri e trashëgimisë në seri edhe Berati.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds