Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vdekjen tragjike të këngëtarit të famshëm, Liam Payne. 31-vjeçari u hodh për vdekje nga ballkoni i katit të tretë të dhomës së tij të hotelit në Buenos Aires, Argjentinë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 tetor, duke tronditur fansat e tij dhe jo vetëm. Ndërkohë rezultatet e testit toksikologjik po japin një pasqyrë të vdekjes së ish-yllit të grupit të famshëm, “One Direction”.
Një autopsi e pjesshme zbuloi se Liam Payne kishte substanca të shumta në sistemin e tij kur u rrëzua për vdekje.
“Daily Mail” shkruan se këto substanca përfshinin “kokainën rozë” – një drogë rekreative që zakonisht është një përzierje e disa drogave duke përfshirë metamfetaminën, ketaminë, MDMA dhe disa të tjera – si dhe kokainën, benzodiazepinën dhe crack-in.
Sipas burimeve, në dhomën e tij të hotelit u gjet edhe një tub alumini i improvizuar për të thithur drogën.
Trupi i Payne do të qëndrojë në Argjentinë deri në përfundimin e autopsisë.
Para vdekjes së Payne, zyrtarët e hotelit thirrën autoritetet dhe u kërkuan atyre të dërgonin dikë me urgjencë për shkak të një mysafiri që ata thanë se ishte i dehur nga droga dhe alkooli.
Kur autoritetet mbërritën afërsisht shtatë minuta më vonë, trupi i 31-vjeçarit u gjet në oborrin e brendshëm të hotelit, ku ai u shpall i vdekur në vendngjarje, tha Alberto Crescenti, drejtori i Shërbimit Mjekësor Emergjent të Buenos Aires.
Një raport paraprak i autopsisë nga Zyra e Prokurorit Publik Argjentinas zbuloi se Payne vdiq nga traumat e shumta dhe gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme. 25 lëndime u raportuan në trupin e Payne. Raporti thoshte se dëmtimet në kokën e artistit ishin të mjaftueshme për të shkaktuar vdekjen.
Ministria e Sigurisë e Buenos Aires tha më parë se substanca të shumta dhe objekte të thyera u gjetën në dhomën e hotelit të Payne.