Pas marrjes së njoftimit për një zjarr në lagjen “Çlirimi”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe vënien në pranga të autorit të këtij rasti.

Shtetasi I. H. ka ndezur zjarr në afërsi të shinave të trenit, në lagjen “Çlirimi”, për të djegur disa kabllo, me qëllim përftimin e materialit të bakrit. Si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur disa shina të linjës hekurudhore dhe sipërfaqe toke të mbjella, në pronësi të një shtetasi tjetër.

Për veprimtarinë kriminale të zjarrvënies (së qëllimshme apo nga pakujdesia), gjatë këtij sezoni, në qarkun Fier, janë proceduar penalisht 27 shtetas, nga të cilët, 8 janë vënë në pranga dhe 19 janë proceduar në gjendje të lirë.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht. Gjithashtu, i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *