Policia e Beratit ka arrestuar një tjetër person që ka ndihmuar dy vëllezërit, të cilët akuzohen se qëlluan ndaj dy shokëve Antonio Merkaj e Apostol Dhëmbi, më 2 janar. Sipas bluve, 32-vjeçari me emrin Ani Hoxha dhe 46-vjeçari që u arrestua ditën e djeshme, dyshohet se kanë lëvizur nga Berati dhe kanë fshehur në Durrës, makinën e autorëve. Ndërkohë vijon puna për kapjen e dy autorëve, vëllezërit Fatjon dhe Marko Maloku.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë hetimet e thelluara rreth ngjarjes së datës 02.01.2025, në lagjen “Donika Kastrioti”. Si rezultat identifikohet dhe vihet në pranga një tjetër shtetas që përkrahu autorët e krimit. Ditën e djeshme, u arrestua një 46-vjeçar që bashkëpunoi me 32-vjeçarin, për lëvizjen e automjetit, nga Berati, dhe fshehjen e tij në Durrës. Gjithashtu, u sekuestruan automjeti dhe arma e zjarrit që përdorën 2 vëllezërit e dyshuar për këtë ngjarje. Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e prokurorit, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Berat vunë në pranga shtetasin A. H., 32 vjeç, banues në Durrës. Ai dhe shtetasi E. D. (i ndaluar dje, në PKK Kakavije) dyshohet se kanë lëvizur nga Berati dhe kanë fshehur në Durrës, automjetin tip “Ford”, nga i cili dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri, vëllezërit F. M. dhe M. M., në drejtim të shtetasve A. M. dhe A. Dh. Vijojnë kërkimet për kapjen e shtetasve F. M. dhe M. M. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Ngjarja ndodhi më 2 janar në lagjen “Donika Kastrioti”, ku dy shokët Antonio Merkaj dhe Apostol Dhëmbi i shpëtuan atentatit, teksa u qëlluan nga vëllezërit Fajton Maloku dhe Marko Maloku me breshëri automatiku “Kallashnikov”, nga një automjet tip “Ford” me ngjyrë të zezë, teksa ishin në afërsi të karburantit “Merko” në Berat.