Kapet nga shërbimet e Forcës Operacionale, një 30-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Forest,” i dyshuar si bashkëpunëtor në kultivimin e 320 bimëve narkotike në fshatin Trevllazër.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike, kanë intensifikuar kërkimet për kapjen e tij.
Si rezultat i këtyre veprimeve, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Rauf Hoxhaj, 30 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 02.10.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ky shtetas akuzohet se në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, të vënë në pranga nga Policia e Vlorës, në muajin qershor, gjatë operacionit të koduar “Forest”, ka kultivuar 320 bimë narkotike në territorin e fshatit Trevllazër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.