Policia në Fier parandalon një ngjarje shumë të rëndë kriminale dhe njëkohësisht zbardh një tjetër ngjarje kriminale. Shërbimet e Forcës se Posaçme Operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier, kapin në flagrancë në aksin rrugor “Mbrostar-Fier dhe vihet në pranga A. M, 29-vjeç, banues në Kamzë me 2 çanta me lëndë plasëse artizanale (rreth 21.3 kilogramë), të montuara për shpërthim në distance, 3 bidona me lëndë djegëse (benzinë) dhe 4 celularë në 2 automjete. 29-vjeçari ishte dënuar më parë për dhënie ndihmë 4 shtetasve, për largim nga IEVP-ja.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e 29-vjeçarit, me të cilët ky shtetas do të kryente ngjarjen kriminale, me lëndë plasëse. A. M., 27 vjeç, banues në Dibër dhe E. C., 25 vjeç, banues në Tiranë.
29-vjeçari i arrestuar me çanta me lëndë plasëse, dhe një 25-vjeçar i shpallur në kërkim nga Policia, janë të dyshuar dhe për rrëmbimin e shtetasve L. Th. dhe F. S., të kryer në Sarandë, më datë 09.04.2023.
Si rezultat i punës intensive dhe të pandërprerë të kryer për parandalimin e ngjarjeve kriminale, strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Fier, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses megaoperacionin policor të koduar “MISTERI”.
Për shtetasit A. M. dhe S. L., ditën e sotme, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” .
Strukturat hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe strukturat hetimore të DVP-ve Fier dhe Vlorë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të të dyja rasteve, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këto 2 raste.