Dy persona që kërkohen në Ital, Ylli Zherri dhe Lumnije Freskina janë arrestuar pasi akuzohen për trafik të lëndëve narkotike. Po ashtu bëhet me dije se në pranga ka rënë dhe i kërkuari në Suedi, Ahmad Farran i cili akuzohet për kanosje serioze për vrasje. Sipas njoftimit, Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Itali dhe në Suedi, për të finalizuar procedurat e ekstradimit të këtyre personave.

Njoftimi:

Policia e Shtetit

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, gjatë 24 orëve të fundit, finalizoi 3 operacione për kapjen e shtetasve me rrezikshmëri, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacionet, rezultat dhe i shkëmbimit të informacioneve me homologët e rrjetit ENFAST.

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (Fast Albania) kapi dhe vuri në pranga 2 pjesëtarë të organizatave kriminale në Itali, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe 1 shtetas të akuzuar në Suedi, për kanosje serioze për vrasje.

Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale, me homologët e Policisë italiane dhe ata të Policisë suedeze, në kuadër të operacionit policor “Operacionalja 22”, u lokalizuan dhe u vunë në pranga shtetasit:

-Y. Zh. alias Y. Gj., 32 vjeç, i lindur në Mamurras. Ai u kap në Mamurras, pasi Gjykata e Vareses, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale;

-L. F alias L. D., 60 vjeçe, e lindur në Shkodër. Ajo u kap në Shkodër, pasi Gjykata e Apelit e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale;

-A. F., 37 vjeç, shtetas suedez. Ai u kap në Tiranë, pasi Gjykata e Orebros, Suedi, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprën penale “Kanosja serioze për vrasje”.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Itali dhe në Suedi, për të finalizuar procedurat e ekstradimit të këtyre shtetasve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds