Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) sapo ka publikuar Anketën Kombëtare për Shqipërinë, ku spikat një mbështetje e lartë e qytetarëve për SPAK-un, i cili vazhdon të mbetet institucioni më i besueshëm në vend. Shumica e të anketuarve presin më shumë hetime dhe ndëshkime të politikanëve të korruptuar, për shkak se korrupsioni është për ta një ndër shqetësimet kryesore. Ata pohuan se nuk do të mbështesin në zgjedhje ato parti, që përkrahin ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut. Drejtori i IRI-t për Shqipërinë, John Fluharty, tha se qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit për të përmirësuar jetën e tyre. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit rikthen besimin e njerëzve tek demokracia.
Anketa Kombëtare e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) gjeti se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është sot institucioni më i besueshëm në Shqipëri (76%), e më pas renditen policia, ushtria dhe institucionet fetare, ndërsa institucionet më pak të besueshme janë Kuvendi dhe partitë politike.
Studimi mbështetet në përgjigjet e një mijë e dyqind qytetarëve të moshave nga 18 vjeç deri mbi 56 vjeç.
Pjesa më e madhe e të anketuarve (59%) mendojnë se reforma në sistemin e drejtësisë është e efektshme, ndërsa (70%) e tyre mendojnë se efektshmëria e drejtësisë u rrit pas vetingut të gjyqtarëve dhe ngritjes së SPAK-ut.
Afro gjysma e të anketuarve (47%) mendojnë se krijimi i SPAK-ut është rezultati më i mirë i reformës në drejtësi, më pas vijnë vettingu (27%) dhe (13%) zbehja e ndikimit politik mbi gjykatat.
Pas kryerjes së reformës në drejtësi qytetarët mendojnë se më të rëndësishmet për t’u bërë tani janë luftimi i korrupsionit, hetimi dhe ndëshkimi i politikanëve, si dhe pavarësia nga ndikimi qeveritar.
Ata i besojnë më shumë SHBA-ve (46%) dhe BE-së (37%) për monitorimin e institucioneve të reja të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe gjykatat, disa herë më pak kryeministrit (7%), dhe vetëm 1 për qind i besojnë Kuvendit.
Më shumë se gjysma e të anketuarve (51%) nga të gjithë grupmoshat pohuan se nuk do ta përkrahin në zgjedhje asnjë parti, që mbështet ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut.
Afro 40 për qind e qytetarëve pohuan se vlerësimi i tyre për SPAK-un do të përmirësohej, nëse SPAK heton politikanë, të cilët ata i kanë mbështetur në të kaluarën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds