Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të enjten se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse ndërmjet dy komunave të këtij qyteti, do të ishte veprim i drejtë, në respektim të lirisë së lëvizjes.

Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi një ditë pas takimit me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore në Kosovë, në të cilin u diskutua rreth mundësisë për rivendosjen e lirisë së lëvizjes së makinave nëpër këtë urë që aktualisht shfrytëzohet vetëm për lëvizjen e këmbësorëve, ndërsa ruhet nga forcat e policisë dhe ato të misionit paqeruajtës të NATO-s.

Në prill të vitit të kaluar kuvendi i komunës së Mitrovicës së Veriut, ku shumicë janë përfaqësuesit e komunitetit shqiptar pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës, mori vendim për hapjen e kësaj ure, ndonëse siç u tha, vendimi përfundimtar u takon institucioneve qendrore.

Partitë politike serbe në veri kundërshtojnë hapjen e urës.

Bashkimi Evropian thotë se çdo veprim që prek të dy komunitetet duhet të diskutohet në kuadër të bisedimeve në Bruksel, ndërsa thekson se hapja e urës ishte pjesë e dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian nga viti 2015 dhe 2016.

Blloku thotë se “hapat e njëanshëm dhe të pabashkërenduar e zhvendosin vëmendjen nga përparësia kryesore për të dyja palët që është zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”, për të cilëm palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Por, dy takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë si dhe kryenegociatorëve të të dyja palëve që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds