Zyrtarët rus të drejtësisë kanë thënë se dëshmitë përfundimtare në rastin kundër gazetarit amerikan Evan Gershkovich do të mbahen të premten. Gazetari që punon për “The Wall Street Journal” po mbahet në burgun famëkeq rus Lefortovo prej më shumë se një viti. Gjykata në Jekaterinburg njoftoi se gazetari doli sot para gjyqtarit në seancën e dytë kundër tij. Gazeta dhe zyrtarët amerikanë e kanë denoncuar gjyqin si të sajuar dhe të paligjshëm. Departamenti i Shtetit e ka shpallur atë ‘të arrestuar padrejtësisht’, një vendim që e detyron qeverinë amerikane të kërkojë më ngulm lirimin e tij.
Procesi ndaj gazetarit Gershkovich po mbahet me dyer të mbyllura në Jekaterinburg, qytet pranë maleve Urale ku ai u arrestua para më shumë se një viti. Ai akuzohet për spiunazh.
Gjatë seancës së parë, procesi u shty deri në mes të muajit gusht, por avokatët e gazetarit amerikan bënë kërkesë që procesi të vazhdojë me shpejtësi, njofton agjencia shtetërore ruse e lajmeve ‘RIA Novosti’ dhe faqja e pavarur e lajmeve në internet “Mediazoan”.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë tha muajin e kaluar se gazetari akuzohet për “mbledhjen e informacioneve sekrete” me urdhër të CIA-s. Sipas akuzës, zoti Gershkovich po mblidhte informacion rreth Uralvagonzavod-it, një impiant rreth 150 kilometra në veri të Jakterinburgut që prodhon dhe riparon tanke dhe pajisje të tjera ushtarake.
Gazeta ‘The Wall Street Journal’ dhe zyrtarë amerikanë e kanë hedhur poshtë akuzën dhe e kanë denoncuar procesin si të jashtëligjshëm.
Arrestimet e amerikanëve janë gjithnjë e më të shpeshta në Rusi. Nëntë shtetas amerikanë deri më tani dihet se mbahen atje pasi tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar për shkak të luftës në Ukrainë.