Ka dështuar takimi i parë i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit, që ishte parashikuar të mbahej këtë të mërkurë në Bruksel. Shkak është bërë refuzimi i delegacionit të Serbisë, në shenjë proteste pas aksionit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve serbe në Veri.
I dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, tha se takimi i së mërkurës i Komisionit të përbashkët për të pagjeturit duhej të mbahej në nivel zëvendësish, por dështoi për shkak se pala serbe njoftoi se nuk do të merrte pjesë në takim për shkak të zhvillimeve në Kosovë. Ai konfirmoi se u takua me të dyja palët në takime veç e veç dhe se pala kosovare i paraqiti para tij prioritetet e saj.
Kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, e quajti arsyetimin e delegacionit serb “banal” dhe “të dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”. “Kjo demonstron për të disatën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur”, u shpreh Hoti.
Nga ana e tij, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se “e ka braktisur atë takim”, për shkak të ndodhive në Kosovë. “Kurti nuk do dialog, por dhunë”, u tha ai gazetarëve në Bruksel. Ngritja e këtij komisioni është bërë në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.