Në rrugën më të bukur dhe me parametra bashkohorë të qytetit, ajo me dy korsi e trotuare të bollshme, pra në hyrjen veriore të qytetit, gjatë këtyre tre javëve kanë ndodhur tre aksidente automobilistike dhe me përllogaritje një aksident ne javë. Përpara tre javësh këtu u përplasën dy automjete ku patën pasoja të rënda frakture drejtuesi i automjetit dhe një pasagjere, të cilët fatmirësisht gjenden jashtë rrezikut për jetën të shtruar në spitalin e traumës në Tiranë. Shkaku i aksidentit ishte mungesa e sinjalistikës rrugore. Javën e kaluar një motociklist përplasi një këmbësor në afërsi të kryqëzimit të rrugës së tregut të fruta-perimeve të shumicës me rrugën hyrëse në qytet dhe pavarësisht se të dy përfunduan me dëmtime serioze për shëndetin, njëri prej shtetasve vdiq në spitalin e traumës në Tiranë. Përsëri një nga shkaqet e aksidentit ishte mungesa e sinjalistikës rrugore. Mesditën e sotme një mjet benz që vinte nga rrethrrotullimi Plugut për të hyrë në qytet, u përplas me furgonin i cili dilte nga rruga dytësore e lagjes 18 Tetori, në afërsi të shkollës Nënshkruesi i Pavarësisë. Sërish precedent për aksidentin ishte mungesa e sinjalistikës rrugore. Pra, ky segment rrugor është kthyer në makthin e drejtuesve të automjeteve për të vetmen arsye se veç faktorëve subjektivë të drejtimit të automjetit, mungon sinjalistika rrugore. Nga biseda e gazetarit tonë me disa biznese këtu pranë, del se këtu ku ndodhin shpesh aksidente automobilistike ka patur pengesa të shtrira në asfalt që të detyrojnë drejtuesit të ulin shpejtësinë, aq më tepër që pranë ka edhe institucion mësimor, por këto janë hequr. Se kush i ka çmontuar pengesat këtë e gjejnë organet përkatëse, por kërkesa e banorëve dhe opinion qytetar është që këtu të vendosen sa me pare pengesa të shtrira që detyrojnë uljen e shpejtësinë plus sinjalistika përkatëse vertikale . Interesimi ynë pranë komisariatit të policisë për këtë problem ka impenjuar autoritetet për një zgjidhje reale, por koha nuk pret, sepse cdo vonesë është baraz me humbje jetësh të tjera.