Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, nën hetim dhe me masë sigurie detyrim paraqitje për dosjen e sterilizimit, është arrestuar mëngjesin e së enjtes me vendim të Gjykatës së Posaçme për llogari të një tjetër hetimi.
SPAK ka kërkuar arrestimin e Beqajt pas hetimeve që lidhen me shpërdorimin e fondeve të Bashkimit Europian përmes Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, drejtuar nga ish-ministri i Shëndetësisë.
Agjencia u ngrit vjeshtën e vitit 2021 me mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet dhe projektet zhvillimore dhe ndër të tjera ka përfituar pagesa nga fondet IPA të Bashkimit Europian.
SPAK thotë në dosje se përmes një rrjeti kompanish e biznesesh janë përfituar para nga fondet e Bashkimit Europian përmes faturave fiktive për shërbime të pakryera. Në të njëjtën dosje, prokurorët e posaçëm theksojnë se në këtë skemë, Ilir Beqaj ka rol aktiv, duke komunikuar me shtetasin Ermal Kurtulaj, gjithashtu i arrestuar.
Faturat fiktive, apo fatura të fryra financiarisht që lëshoheshin nga subjektet private dorëzoheshin më pas në agjencinë e drejtuar nga ish-ministri i Shëndetësisë. Pasi merrte këto fatura, Agjencia kryente pagesat në llogaritë bankare të këtyre subjekteve.
SPAK thotë se ka siguruar prova të mjaftueshme përmes të dhënave nga sistemi i tatimeve dhe përgjimet mes të arrestuarve, që faktojnë skemën e abuzimit me fondet e Bashkimit Europian. Ilir Beqaj është nën hetim për shpërdorim detyre edhe në dosjen e sterilizimit, për të cilën gjykata e posaçme ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje