Pothuajse 9 milionë euro në vit për të mbuluar kostot e ambienteve të hoteleve me 4 dhe 5 yje, gjithashtu me plazhe private, të destinuara për të pritur 295 policë dhe karabinierë në Shqipëri.

Kjo është ajo që shkruajnë mediat italiane, duke iu referuar Ministrisë së Brendshme në Itali, për marrjen me qira dhomave për agjentët italianë të përfshirë në menaxhimin e qendrave të paraburgimit të emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër, të cilat janë gjithashtu bosh për shkak të vendimit të gjyqtarëve në Romë.

Mediat shkruajnë se nga sa rezulton nga dokumentet e Departamentit të Sigurisë Publike, kontrata me fituesin parashikon “një shërbim akomodimi në dhoma hoteli teke me katering dhe shërbime të ngjashme për një kohëzgjatje prej 12 muajsh për një shpenzim maksimal të vlerësuar në 8,897,200 Euro”.

Sipas mediave italiane, Ministria e Brendshme ka kryer një sërë kontrollesh paraprake për të përjashtuar lidhjen e strukturave me qarqe kriminale.

Mediat shkruajnë se 295 policë dhe karabinierë do të akomodohen në dy struktura, 4 dhe 5 yje, me pishinë, plazh privat, qendër Wellness dhe padyshim restorant. Kostoja ditore e shërbimeve shkon në 80 euro për çdo agjent dhe marrëveshja do të zgjasë 12 muaj “për nevojat që lidhen me funksionimin e qendrave të pritjes”.

E gjithë kjo ka shkaktuar një tjetër sulm ndaj Qeverisë Meloni.

Gennarino De Fazio, Sekretar i Përgjithshëm i Uilpa, shprehet se ndërsa “kompania kontraktore do të vërë në dispozicion të operatorëve dy hotele me plazh privat, qendër Wellness, pishina dhe restorant”, Ministria e Drejtësisë “vazhdon të mbajë në parafabrikate pjesëtarët e policisë penitenciare të punësuar në drejtimin e IEVP-së në Gjadër”, që cilësohet si një struktur pa arredimin më elementar.

Angelo Bonelli, zëdhënës i Green Europe, ka edhe një reagim më të ashpër, teksa shprehet: “Giorgia Meloni, e cila gabon me makinën llogaritëse, ia ka dalë në Shqipëri të vërë përballë policinë e shtetit me policinë e burgjeve. 295 punonjës të policisë së shtetit do të qëndrojnë në hotele në 4-5 yje, ndërsa 46 oficerët e burgut do të flenë në kontejnerë”.

E gjithë kjo – thotë Bonelli – është rezultat i propagandës së kryeministres Meloni, e cila shpenzon mbi 10 milionë euro për këtë çmenduri, duke shkurtuar fondet për shëndetin publik, shkollat, shërbimet sociale dhe transportin publik.

Në të njëjtën linjë janë edhe liderët e tjerë të opozitës.

“Është një skandal, i përjetësuar edhe në dëm të qytetarëve italianë”, denoncon sekretarja e Partisë Demokratike Elly Schlein. Sipas saj, marrëveshja me Shqipërinë vazhdon të shkaktojë dëme.

Agjentët, vazhdon Schlein, do të ishin shumë më të dobishëm në Itali, ku nuk vihen në kushtet më të mira për të bërë punën e tyre. “E vërteta është se jemi përballë një dështimi që rëndon mbi xhepat dhe ndërgjegjen e italianëve”, tha ajo.

Për Alfonso Colucci, drejtues i grupit M5 në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese, “forcat e policisë kanë nevojë për shumë më tepër, domethënë rritje pagash, pajisje teknike. Qytetarët kërkojnë siguri dhe ligjshmëri më të madhe, ata po paguajnë sot për filmat dokumentarë të qeverisë Meloni, ndërkohë që në të njëjtën kohë u shkurtohen shërbimet thelbësore dhe vendosen taksa të reja”.

Departamenti i Sigurisë Publike bëri të ditur se shifra prej 9 milionësh është maksimumi i parashikuar, që do të shpenzohej vetëm nëse do të përdorej e gjithë kuota e parashikuar e personelit të sigurisë.

Shpenzimet e përgjithshme, nënvizon Ministria e Brendshme, varen nga numri aktual i stafit të punësuar. Zgjedhja e strukturave, saktësohet, është bërë “duke pasur parasysh standardet e treguara nga marrëveshjet sindikale”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds