Banorët e “Fshatit të Ri” në njësinë administrative Zharrëz të Bashkisë Patos, ankohen për mbifaturim të faturave të ujit të pijshëm prej disa muajsh. Sipas tyre sasia e ujit të harxhuar nuk përputhet me sasinë e faturuar.
Sipas informacionit të marrë pranë Drejtorisë Rajonale të Ujësjellës – Kanalizimeve në Fier, nga kjo zonë janë paraqitur deri tani 20 ankesa lidhur me këtë situatë që konsistojnë në mbifaturim dhe për këtë arsye në terren janë ngritur grupet e punës për verifikimin e çdo ankese sipas kohës që percakton ligji dhe do të bëhen sistemimet për gabimet që do të vërtetohen.
Sot Njësia Administrative Zharrëz është pajisur me matësa të rinj, janë zëvendësuar dhe matësat e dëmtuar, ndërkohë që faturimi është elektronik. Mësohet se në muajt e kaluar faturisti i zonës nuk ka lexuar faturimin real duke sjellë këtë anomali.
Mësohet gjithashtu se Drejtoria Rajonale e Ujësjellës- Kanalizimeve në Fier, ka pushuar nga puna faturistin për të cilin pati ankesa.